Një grup kriminal me bazë në Vlorë, i goditur nga SPAK, dyshohet se përdorte sistemin financiar informal “Hawala” për të lëvizur paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale. Sipas hetimeve, ky mekanizëm shërbente për transferimin e shpejtë të shumave të mëdha që përdoreshin për financimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Prokuroria e Posaçme ka arritur të zbardhë mënyrën e funksionimit të këtij sistemi përmes analizës së komunikimeve të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC. Hetuesit e konsiderojnë “Hawala”-n një skemë të sofistikuar, përmes së cilës grupi realizonte pagesa për blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine. Në praktikë, paratë dorëzoheshin në një shtet dhe tërhiqeshin në një tjetër, përfshirë edhe Shqipërinë, duke shmangur sistemet bankare dhe gjurmimin financiar.
Ndërkohë, SPAK ka nisur hetime edhe për pasuritë e tetë personave të përfshirë në këtë dosje, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa tre prej tyre janë ekzekutuar deri tani. Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga hetimet është arritur të zbardhen edhe dy vrasje të ndodhura në vitin 2021 në Vlorë, ato të Gentian Qarrri dhe Bledar Birçaj, si dhe përfshirja e grupit në katër tentativa për trafik të mbi një ton kokaine dhe rreth 700 kilogramë kanabis.