Iran: Momenti i frikshëm kur shpërthen tubacioni i benzinës nga sulmet izraelite

Momente të frikshme janë filmuar në Teheran, pasi një tubacion furnizimi me benzinë shpërtheu në bulevardin Shahran, pas sulmeve ajrore izraelite që goditën infrastrukturën energjetike të Iranit.

Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale shihen flakë të mëdha dhe shpërthime të forta, ndërsa nga tubacioni i karburantit ngrihen kolona të mëdha tymi mbi zonën përreth. Sipas raportimeve, shpërthimi ndodhi pasi sulmet izraelite goditën disa objekte të lidhura me furnizimin dhe magazinimin e karburantit.

Këto goditje konsiderohen ndër të parat që synojnë drejtpërdrejt infrastrukturën energjetike të Iranit që nga përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Industria energjetike është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë iraniane. Vendi zotëron rezerva të mëdha nafte dhe gazi natyror, ndërsa eksportet e energjisë përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për shtetin.

Sipas vlerësimeve të kompanisë analitike FGE, Irani ka gjeneruar rreth 78 miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e energjisë gjatë vitit 2024, përfshirë naftën, produktet e saj dhe energjinë elektrike.

Ekspertët paralajmërojnë se goditjet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës së karburantit mund ta fusin vendin në një krizë serioze energjetike dhe ekonomike, duke e bërë qeverinë iraniane më të cenueshme nëse sulmet vazhdojnë.